Jezusi na dërgoi ta çojmë Lajmin e Mirë te të gjithë njerëzit. Sot, shumë prej tyre i takojmë në ekran: në telefon, në rrjete sociale, në video. Prandaj e “përkthejmë“ Ungjillin me mjete digjitale, pa ndryshuar asgjë nga mesazhi i tij.
“Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar.“MATEU 28:19–20 Lexo kapitullin te Bibla.al →
Urdhri i Jezusit është i qartë. Lajmi i Mirë nuk është vetëm për ata që vijnë në kishë, por për “të gjithë popujt“: për fqinjin, për kolegun, për të riun që kërkon kuptim në telefonin e tij.
Bashkë me urdhrin vjen edhe premtimi: “unë jam me ju gjithë ditët“. Në këtë mision nuk shkojmë vetëm.
Për ta bërë Ungjillin të qartë, duhet të flasim me kulturën ku jetojmë: me pyetjet, gjuhën dhe shqetësimet e saj. Kultura e sotme jeton kryesisht në hapësirën digjitale. Aty lexojmë lajmet, kërkojmë përgjigje, bisedojmë me miqtë dhe formojmë bindjet tona.
Ashtu si Bibla u përkthye në shqip që ta kuptonim në gjuhën tonë, sot Ungjilli duhet “përkthyer“ edhe në gjuhën digjitale: në artikuj, postime, video dhe biseda online. Mesazhi mbetet i njëjti; ndryshon mënyra si arrin te njerëzit.
Te 1 Korintasve 9, apostulli Pal shpjegon si e jetonte thirrjen për ta çuar Ungjillin te njerëz shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Parimet e tij na udhëheqin edhe në botën digjitale.
“…e kam bërë veten time gjithçka për të gjithë, që të mund të shpëtoj me çdo mënyrë disa njerëz.“1 KORINTASVE 9:22 Lexo kapitullin te Bibla.al →
Pali ishte i lirë, por zgjodhi të bëhej “shërbëtor të të gjithëve“. Online, platformat dhe aftësitë tona nuk janë për të ndërtuar emrin tonë, por për t’u shërbyer njerëzve.
Pali u bë si jude me judenjtë dhe i dobët me të dobëtit. Ai nuk priste që njerëzit të vinin te bota e tij; shkonte ai te bota e tyre. Edhe ne mësojmë gjuhën, formatet dhe vendet ku njerëzit kalojnë kohën e tyre.
Përshtatja ka një kufi: Pali mbetej “nën ligjin e Krishtit“. Mund të ndryshojmë mjetin, stilin dhe gjatësinë, por jo përmbajtjen e Ungjillit. Nuk e zbusim të vërtetën për më shumë shikime apo pëlqime.
Pali duronte çdo gjë “për të mos i vënë asnjë pengesë ungjillit të Krishtit“. Online, pengesat janë shpesh të vogla, por reale: gjuhë e paqartë, terma që i kuptojnë vetëm besimtarët, përmbajtje e dobët. I heqim ato, që mesazhi të arrijë i qartë dhe falas.
Pali përdorte “çdo mënyrë“, por synonte “disa“. Kjo na jep liri të jemi krijues, me artikuj, video, postime dhe kurse. Njëkohësisht na mëson të mos e matim suksesin vetëm me numra: çdo njeri që takohet me Krishtin ka vlerë të pamatë.
“Mjerë unë, po nuk predikova ungjillin!“ Për Palin kjo nuk ishte strategji, por thirrje. Gjithçka e bënte “për hir të ungjillit“. Ky është edhe motivimi ynë: jo trendet, por vetë Lajmi i Mirë.
Pali e krahason misionin me një garë, ku vrapuesi stërvitet dhe e mban veten nën kontroll. Puna në hapësirën digjitale kërkon të njëjtën gjë: fokus, vetëkontroll dhe kujdes për zemrën tonë, që ekrani të jetë mjet në duart tona e jo zot mbi ne.
Prandaj fokusi ynë është digjital. Krijojmë hapësira ku njerëzit mund të lexojnë, të shikojnë, të pyesin dhe të bisedojnë për jetën, kulturën dhe Ungjillin: në faqet tona në internet, në rrjete sociale dhe në YouTube.
Faqet tona
Bibla në shqip, falas, me audio, devocione të përditshme dhe plane leximi.
bibla.al →Kurse online për studim biblik, plotësisht në shqip, që i ndjek nga telefoni ose kompjuteri, me ritmin tënd.
hapitjeter.net →Inkurajime biblike: një pamje praktike e së vërtetës biblike, me parime të qarta për ta jetuar çdo ditë.
lente.com.al →Një vend ku flasim hapur për sfidat e jetës, si frika, bullizmi apo dështimi, dhe për shpresën që sjell Ungjilli.
ceshtjetejetes.com →Blog me shkrime për besimin, kulturën dhe jetën, që na ftojnë të mendojmë përtej kornizave të zakonshme.
jashtekornize.al →Si ta nisësh studimin e Biblës hap pas hapi, me kurse dhe materiale në shqip.
Shiko faqen →Rrjetet sociale dhe video
Na ndiq, ndaje përmbajtjen me miqtë ose na shkruaj nëse dëshiron të bëhesh pjesë e këtij misioni.