Hapësira Digjitale

Ungjilli, në gjuhën e kohës sonë

Jezusi na dërgoi ta çojmë Lajmin e Mirë te të gjithë njerëzit. Sot, shumë prej tyre i takojmë në ekran: në telefon, në rrjete sociale, në video. Prandaj e “përkthejmë“ Ungjillin me mjete digjitale, pa ndryshuar asgjë nga mesazhi i tij.

Thirrja
“Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar.“
MATEU 28:19–20 Lexo kapitullin te Bibla.al →

Një thirrje për të gjithë

Urdhri i Jezusit është i qartë. Lajmi i Mirë nuk është vetëm për ata që vijnë në kishë, por për “të gjithë popujt“: për fqinjin, për kolegun, për të riun që kërkon kuptim në telefonin e tij.

Bashkë me urdhrin vjen edhe premtimi: “unë jam me ju gjithë ditët“. Në këtë mision nuk shkojmë vetëm.

Ungjilli takon kulturën

Për ta bërë Ungjillin të qartë, duhet të flasim me kulturën ku jetojmë: me pyetjet, gjuhën dhe shqetësimet e saj. Kultura e sotme jeton kryesisht në hapësirën digjitale. Aty lexojmë lajmet, kërkojmë përgjigje, bisedojmë me miqtë dhe formojmë bindjet tona.

Ashtu si Bibla u përkthye në shqip që ta kuptonim në gjuhën tonë, sot Ungjilli duhet “përkthyer“ edhe në gjuhën digjitale: në artikuj, postime, video dhe biseda online. Mesazhi mbetet i njëjti; ndryshon mënyra si arrin te njerëzit.

1 Korintasve 9

Parimet e misionit tonë digjital

Te 1 Korintasve 9, apostulli Pal shpjegon si e jetonte thirrjen për ta çuar Ungjillin te njerëz shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Parimet e tij na udhëheqin edhe në botën digjitale.

“…e kam bërë veten time gjithçka për të gjithë, që të mund të shpëtoj me çdo mënyrë disa njerëz.“
1 KORINTASVE 9:22 Lexo kapitullin te Bibla.al →
01v. 19

Liria në shërbim të të tjerëve

Pali ishte i lirë, por zgjodhi të bëhej “shërbëtor të të gjithëve“. Online, platformat dhe aftësitë tona nuk janë për të ndërtuar emrin tonë, por për t’u shërbyer njerëzve.

02v. 20–22

Hyr në botën e tjetrit

Pali u bë si jude me judenjtë dhe i dobët me të dobëtit. Ai nuk priste që njerëzit të vinin te bota e tij; shkonte ai te bota e tyre. Edhe ne mësojmë gjuhën, formatet dhe vendet ku njerëzit kalojnë kohën e tyre.

03v. 21

Forma ndryshon, mesazhi jo

Përshtatja ka një kufi: Pali mbetej “nën ligjin e Krishtit“. Mund të ndryshojmë mjetin, stilin dhe gjatësinë, por jo përmbajtjen e Ungjillit. Nuk e zbusim të vërtetën për më shumë shikime apo pëlqime.

04v. 12

Asnjë pengesë për Ungjillin

Pali duronte çdo gjë “për të mos i vënë asnjë pengesë ungjillit të Krishtit“. Online, pengesat janë shpesh të vogla, por reale: gjuhë e paqartë, terma që i kuptojnë vetëm besimtarët, përmbajtje e dobët. I heqim ato, që mesazhi të arrijë i qartë dhe falas.

05v. 22

Me çdo mënyrë, për disa

Pali përdorte “çdo mënyrë“, por synonte “disa“. Kjo na jep liri të jemi krijues, me artikuj, video, postime dhe kurse. Njëkohësisht na mëson të mos e matim suksesin vetëm me numra: çdo njeri që takohet me Krishtin ka vlerë të pamatë.

06v. 16, 23

Për hir të Ungjillit

“Mjerë unë, po nuk predikova ungjillin!“ Për Palin kjo nuk ishte strategji, por thirrje. Gjithçka e bënte “për hir të ungjillit“. Ky është edhe motivimi ynë: jo trendet, por vetë Lajmi i Mirë.

07
v. 24–27

Vrapo me disiplinë

Pali e krahason misionin me një garë, ku vrapuesi stërvitet dhe e mban veten nën kontroll. Puna në hapësirën digjitale kërkon të njëjtën gjë: fokus, vetëkontroll dhe kujdes për zemrën tonë, që ekrani të jetë mjet në duart tona e jo zot mbi ne.

Çfarë ofrojmë

Biseda për kulturën dhe Ungjillin, online

Prandaj fokusi ynë është digjital. Krijojmë hapësira ku njerëzit mund të lexojnë, të shikojnë, të pyesin dhe të bisedojnë për jetën, kulturën dhe Ungjillin: në faqet tona në internet, në rrjete sociale dhe në YouTube.

Faqet tona

Rrjetet sociale dhe video

Bashkohu në bisedë

Na ndiq, ndaje përmbajtjen me miqtë ose na shkruaj nëse dëshiron të bëhesh pjesë e këtij misioni.